Me fitore bindëse, Bashkimi siguron finalen

Pas katër ndeshjeve dhe rezultatit të barabartë në seri 2-2, Bashkimi ka arritur që të fitojë bindshëm ndeshjen vendimtare të serisë gjysmëfinale ndaj Borës për të siguruar finalen e playoffit të Superligës.

Fitore bindëse

Prizrenasit kanë fituar në “Sezai Surroin” përplot sonte, me rezultat 100-76 për të bërë serinë 3-2 dhe për të arritur finalen e për t’i dalë përballë Trepçës përsëri, njëjtë sikurse në stinorin e kaluar.

Pas çerekut të parë, ku Bora ishte në epërsi 19-23 Bashkimi mori lojën në dorë dhe riktheu rezultatin e në fund shtoi dallimin për të fituar me mbi 20 pikë dallim.

Pikët erdhën nga…

Me 23 pikë të shënuara më efikasi te Bashkimi ka qenë Lejson Zeqiri, që shutoi 3/6 për tre pikë, ndërsa bëri edhe 2 asistime e 6 kërcime në fitore. Ike Nwamu dha 21 pikë e 5 asistime, kurse Shannon Shorter 20 pikë, 6 asistime e 8 kërcime në fitore.

Te Bora u dallua Tyler Cheese me 21 pikë, 4 asistime e 7 kërcime. Por për Borën këtu përfundoi stinori historik i tyre ku pos që debutuan në playoff ishin edhe shumë afër finales së saj.

Finalja deri në 7 ndeshje

Pas serisë deri në 3 fitore, tani më Bashkimi që do t’i dalë përballë Trepçës në serinë finale, do të duhet të kërkojnë 4 fitore, pasi që seria finale e playoffit shkon maksimalisht në 7 ndeshje.

Ndeshjet luhen me sistemin vajtje-ardhje, që nis në “Minatori” dhe nëse shkohet në ndeshjen e fundit të serisë, përfundon në “Minatori”, pasi që Trepça ka qenë fituese e stinorit të rregullt. Përndryshe, dueli i parë i serisë finale pritet të luhet të dielën më 10 maj në Mitrovicë, në ndeshjen që fillon prej orës 19.30.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live