
Titulli i radhës! Si e riformësoi Barcelonën Hansi Flick?
Ka pasur gara për titull kampioni me llojlloj dramash në Spanjë. Por, këtë stinor nuk ka qenë një e tillë. Barcelona fitoi në fundjavë derbin ndaj Real Madridit 2-0, rivalit më të madh, dhe bëri dallimin 14 pikësh në tabelë për të siguruar titullin kampion të radhës.
El Clasicoja e së dielës ka qenë e para në 100 vitet e fundit që definitivisht vendosi fituesin e titullit! Trajneri i Barcelonës, gjermani Hansi Flick, ka fituar titullin e dytë të kampionit në dy vite sa po drejton ekipin.

Ekipi i Flickut ka 100% fitore në shtëpi përgjatë këtij stinori, ndërsa prej shkurtit është në formë të jashtëzakonshme. U eliminua nga Liga e Kampionëve në çerekfinale dhe në gjysmëfinale të Copa del Rey, por kur kthehej puna për LaLiga – aty nuk kishte dilema.
Sa i përket fitoreve këtë stinor, vetëm Bayerni është mbi Barcelonën me përqindje të triumfeve dhe golave të shënuara. Kur Flick arriti në maj të vitit 2025 Barcelona shihte se si Real Madridi po fiton Ligën e Kampionëve dhe LaLigën, ndërsa shtonte në ekip Kylian Mbappen, yllin e ardhshëm të ekipit.

Por, brenda dy viteve të ardhshme Barcelona fitoi pesë nga gjashtë trofetë në Spanjë, derisa Real Madridi këto dy vite nuk ka shijuar asnjë trofe! Sipas analizave, Flick riformësoi lojën e Barcelonës prej se arriti aty. Futi disiplinë më të madhe në ekip, ngriti intensitetin fizik dhe shtoi identitet sulmues, më të drejtpërdrejtë. Pos të tjerash ai u kujdes edhe për gjendjen mentale të lojtarëve të tij (rasti Araujo), si dhe menaxhoi mirë të rinjtë, duke u dhënë detyra dhe përgjegjësi për tu inkorporuar në sistemin e tij (Yamal, Cubarsi, Fermin).

Barcelona feston titullin e 29-të të kampionit të Spanjës, duke iu afruar Real Madridit (36) edhe më. Kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të stinorit, Barcelona ka 91 pikë dhe mund të arrijë në 100! Real Madridi aktualisht ka 77.
