Trepça perfekte në finale, bën hat-trick titujsh

Trepça është vulosur si kampione e Kosovës duke e mbrojtur titullin e fituar vjet dhe të tretin tashmë me radhë. Mitrovicasit kanë shënuar fitore bindëse 78-98 edhe në ndeshjen e katërt të serisë në “Sezai Surroi” për t’i dhënë shpejt fund serisë finale dhe me 4-0 ngritën trofeun në Prizren.

Trepça dominoi edhe ndeshjen e katërt të serisë finale. Pas dy fitore të shënuara në “Minatori”, ata shënuan edhe dy fitore tjera në “Sezai Surroi” ku me të katërtën sonte me 20 pikë dallim, vërtetuan mbizotërimin këtë stinor.

Akili Vining me 13 pikë e 6 asistime ishte më efikasi në fitore sonte, ndërsa nga 12 pikë dhanë Ja’cori Payne e Drilon Hajrizi. Payne bëri edhe 5 asistime në fitore, ndërsa Hajrizi shtoi 4 kërcime në llogari të tij.

Te Bashkimi në përpjekjen e fundit për të bërë diçka më shumë u dallua Ike Nwamu me 18 pikë, derisa me nga 16 pikë serinë finale e mbyllën Shannon Shorter dhe Jalen Riley.

Përndryshe, për Trepçën ky është titulli i shtatë kampion në histori të klubit.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live