
Prishtina e Re vazhdon me Fazliun
Ekipi i Prishtinës së Re, që nuk mbijetoi në stinorin debutues të tyre në Superligë në stinorin që e lamë pas, derisa po bën përgatitjet për stinorin e radhës që do ta luajë në Ligë të Parë, ka bërë të ditur se ka vazhduar marrëveshjen me sulmuesin e skuadrës së tyre, Drilon Fazliu.
Vushtrriasi 25 vjeçar më parë ka bërë karrierë te Vushtrria dhe te Llapi, ndërsa në stinorin e kaluar ka dhënë një gol për ekipin e tij në Superligë.
“Drilon Fazliu vazhdon me KF Prishtina e Re.
KF Prishtina e Re njofton se Drilon Fazliu do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës edhe në edicionin e ri të Ligës së Parë.
Sulmuesi i krahut të majtë mbetet pjesë e projektit të klubit, duke vazhduar rrugëtimin me synimin e përbashkët për ta rikthyer KF Prishtina e Re në elitën e futbollit të Kosovës.
Me energjinë, cilësinë dhe përkushtimin e tij, Driloni do të jetë një vlerë e rëndësishme për ekipin në realizimin e objektivave të sezonit.
I urojmë Drilonit shumë suksese dhe një sezon të mbushur me paraqitje të mira me fanellën tonë.” — shkroi KF Prishtina e Re në njoftim.
Përndryshe, Prishtina e Re ditë më parë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me trajnerin e saj Qëndrim Kida edhe për stinorin 2026/27, derisa objektivi kryesor i klubit do të jetë rikthimi në Superligë.
