Kampioni i Ligës së Parë s’merr pjesë në Superligë! A po i hapet rruga Vëllaznimit?

Ngjarje të paparashikueshme ndodhin në basketbollin e Kosovës dhe dje, kampionja e Ligës së Parë për stinorin 2025/26, KB Drita nga Gjilani ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në Superligë, ku u ngrit pasi që fitoi titullin në Ligë të Parë.

Ekipi gjilanas, që kishte bërë këndellje të madhe si në organizim ashtu edhe në përforcime gjatë janarit të këtij viti, arriti t’i përmbys të gjitha rezultatet aty dhe në fund u bë kampion, pasi që fitoi finalen e playoffit ndaj PC Prizrenit.

E dje, KB Drita bëri të ditur edhe zyrtarisht se nuk do të jetë pjesë e Superligës këtë stinor, ndërsa arsyet i ceki në deklaratën e plotë si mëposhtë:

DEKLARATË ZYRTAREMe keqardhje të thellë njoftojmë opinionin sportiv, tifozët tanë dhe gjithë qytetarët se KB Drita nuk do të licencohet për garim në Superligën e Kosovës, jo për mungesë rezultatesh sportive, jo për mungesë organizimi apo vullneti, por për shkak të mungesës së një palestre të licencuar ku klubi të zhvillojë ndeshjet si vendas.
Ky është një moment jashtëzakonisht i dhimbshëm për klubin tonë. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, me shumë sakrificë, përkushtim dhe punë të palodhshme nga lojtarët, trajnerët, kryesia dhe të gjithë ata që kontribuan në rrugëtimin tonë drejt Superligës, sot po përballemi me një realitet të hidhur: ëndrra jonë po ndalet për arsye që nuk varen nga ne.
Palestra e qytetit vazhdon të jetë në proces renovimi, ndërsa, për fat të keq, nuk u arrit të sigurohej një alternativë nga institucionet komunale për zhvillimin e ndeshjeve. Kryesia e klubit ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të gjetur zgjidhje në komuna të ndryshme, duke zhvilluar takime dhe kontakte të shumta, por pavarësisht angazhimit maksimal, nuk kemi arritur të sigurojmë një palestër që do të na mundësonte licencimin.
Si kryesi e KB Drita, jemi thellësisht të zhgënjyer. Është e papranueshme që një klub i cili me meritë sportive fitoi të drejtën për të garuar në elitën e basketbollit të Kosovës, të mbetet jashtë vetëm për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mungesës së përkrahjes institucionale.
Ky nuk është vetëm një dështim për KB Dritën. Ky është një dështim për sportin e qytetit tonë, për të rinjtë që ëndërrojnë të veshin fanellën e këtij klubi dhe për të gjithë ata që besuan se puna, sakrifica dhe suksesi sportiv do të shpërbleheshin.
Përkundër këtij zhgënjimi të madh, falënderojmë nga zemra lojtarët, stafin teknik, sponsorët, tifozët dhe çdo mbështetës që qëndroi pranë nesh në çdo hap të këtij rrugëtimi. Ju ishit forca jonë dhe arsyeja pse luftuam deri në fund.
KB Drita nuk do të dorëzohet. Do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim, me shpresën se institucionet do ta kuptojnë më në fund rëndësinë e investimit në sport dhe se asnjë klub tjetër nuk do të përjetojë një padrejtësi të tillë.”

Tani, pas kësaj deklarate dhe nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje tjetër për Dritën deri kah fundi i gushtit, e drejta për tu kyqur në Superligë mund t’i takojë PC Prizrenit e ndoshta edhe KB Vëllaznimit që ra nga Superliga në stinorin e kaluar. Krejt kjo, pasi që ekipet tjera të Ligës së Parë nuk kanë potencial për tu organizuar plotësisht dhe për tu bërë gati për të qenë ekip konkurrues në Superligë.

E në ndërkohë mbetet të shihet se cila skuadër do ta shfrytëzojë këtë mundësi, apo ndoshta edhe Superliga në rastin tjetër, mund të vazhdojë stinorin me shtatë ekipe!

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live