
Pa probleme në Rahovec për Bashkimin
Bashkimi ka vazhduar me fitore në Superligë dhe tashmë në dy xhirot e para ka regjistruar dy fitore. Ekipi prizrenas në pasditen e sotme është treguar më i mirë se ekipi i Rahovecit 029 për t’i mposhtur ata 84-100.
Çereku i parë (17-29) dhe i tretë (19-23) janë treguar vendimtarë në këtë përballje derisa portokallezinjtë nga qyteti antik kanë marrë fitoren e dytë kampionale në dy javët e para të saj, për të bërë bilancin 2-0!
Lejson Zeqiri me 18 pikë ka qenë më efikasi te Bashkimi në fitore, ndërsa me nga 16 pikë në lojë u dalluan Shannon Shorter dhe Jajuan Johnson.
Te Rahoveci 029 nuk mjaftuan 25 pikët e Mika Adamsit, derisa Zion Fruster kreu lojën me 18 e Shëndrit Llapi me 14 pikë të shënuara.
Në xhiron që vjen, Bashkimi luan deri me Trepçën në “Sezai Surroi”, derisa java tjetër Rahovecin 029, që po kërkon fitoren e parë kampionale e pret në Prishtinë, ku vreshtarët janë mysafirë të Borës.

