
Peja godet kampionen!
Një Pejë e re dhe me shpresë për stinorin e ri! Verdhezinjtë kanë shënuar fitore ndaj Trepçës si mysafir në “Minatori” për të triumfuar në duelin e dytë të ditës në Superligë, 81-87.
Dallimi në rezultat u bë në pjesë të parë, 40-47, ndërsa pjesa e dytë shkoi kokë më kokë, për të përfunduar dueli me 6 pikë dallim për ekipin e drejtuar nga greku, Mihalis Kakiouzis.
Robert Smith ka qenë më i dalluari te Peja me 24 pikë të shënuara. Ai bëri edhe 5 asistime e 4 kërcime, ndërsa shënoi 5 treshe nga 11 tentime në fitore. Me 21 pikë ndeshjen e përfundoi edhe Trevor Moore i cili gjithashtu shënoi 5 treshe, por nga 9 tentime.
Te Trepça më efikasit ishin Drilon Hajrizi me 17 dhe Dardan Kapiti me 15 pikë.
Për Pejën, kjo ishte fitorja e dytë me radhë dhe e para me lojë, pasi që të parën e fituan në tavolinë ndaj Prishtinës. E Trepça kampione aktuale mori goditjen e parë që në duelin e parë si vendas këtë stinor.
