Nga akuzat te vendimi: çfarë po ndodh me Manchester Cityn?

Manchester City është shpallur fajtor për një pjesë të madhe të shkeljeve financiare për të cilat ishte akuzuar nga Premier League. Pas një procesi që zgjati disa vite, komisioni i pavarur ka dhënë vendimin për një prej rasteve më të bujshme që ka tronditur futbollin anglez.

Lajmi fillimisht u bë i ditur nga “The Athletic”, e pak ditë më pas fajësia e Cityt u konfirua zyrtarisht edhe nga Premier League.

City ishte përballur me gjithsej 115 akuza, të lidhura kryesisht me periudhën nga sezoni 2009/10 deri në 2017/18 dhe klubi nga Manchesteri është shpallur fajtor në 114 prej tyre.

Sipas vendimit, klubi ka shkelur rregullat financiare të Premier League në disa raste. Komisioni ka konstatuar se City nuk kishte raportuar në mënyrë të saktë disa të dhëna financiare, përfshirë të ardhurat dhe shpenzimet e klubit.

Një pjesë e rëndësishme e çështjes lidhet edhe me marrëveshjet e ndryshme kontraktuale dhe mënyrën se si ato janë raportuar. Komisioni ka gjetur gjithashtu se City ka shkelur rregullat financiare të Premier League dhe UEFA-s gjatë periudhës së shqyrtuar.

City nuk bashkëpunoi plotësisht me hetimin

Një tjetër pikë ku klubi është gjetur fajtor është bashkëpunimi me hetimin.

Komisioni ka konstatuar se Manchester City nuk ka respektuar plotësisht kërkesat për dorëzimin e dokumenteve dhe informacionit gjatë procesit. Tre nga katër akuzat për mosbashkëpunim janë pranuar.

Premier League ka pretenduar se shkeljet e konstatuara kanë ndikuar në raportimin e më shumë se 900 milionë funteve në të ardhura dhe shpenzime.

Dënimi ende nuk është vendosur

Pavarësisht vendimit, kjo çështje nuk ka përfunduar.

Manchester City ende nuk e di se cili do të jetë dënimi për shkeljet e konstatuara. Një proces i veçantë do të përcaktojë masën e ndëshkimit, e cila mund të përfshijë gjoba financiare, heqje të titujve, zbritje pikësh, largim nga liga apo masa të tjera sipas rregulloreve të Premier League.

Nga ana tjetër, City vazhdon ta kundërshtojë vendimin dhe ka të drejtë të apelojë deri më 2 tetor (e premte). Sa është afati kohor i shqyrtimit të ankesës dhe kur saktësisht mund të kemi një dënim konkret, ende nuk dihet. Shumë gjëra mbesin të paqarta për shkak të numrit të madh të akuzave dhe për shkak të rëndësisë dhe efektit “domino” që do të ketë cilido dënim.

Paditë nga klubet rivale

Por pasojat për Manchester Cityn mund të mos kufizohen vetëm te Premier League.

Disa prej klubeve rivale tashmë kanë kërkuar këshilla ligjore për të shqyrtuar mundësinë e kërkimit të kompensimit financiar nga City. Pretendimi lidhet me dëmet që klubet mund të kenë pësuar si pasojë e avantazhit të krijuar nga shkeljet financiare të konstatuara.

Në praktikë, kjo mund të prekë klubet që gjatë këtyre viteve kanë humbur pozita në tabelë, të ardhura nga garat evropiane, shpërblime financiare apo mundësi për t’u kualifikuar në Champions League. Nëse një klub ka përfunduar pas Manchester Cityt në një sezon dhe kjo ka ndikuar në të ardhurat që ai klub ka përfituar, mund të argumentohet se ka pësuar një dëm financiar.

Pikërisht për këtë arsye, rasti mund të hapë një kapitull të ri ligjor. Manchester City mund të përballet jo vetëm me një dënim nga Premier League, por edhe me kërkesa për kompensim nga klubet që pretendojnë se janë dëmtuar financiarisht nga veprimet e tij.

Disa prej klubeve më të mëdha angleze janë përmendur tashmë në raportimet për këto procese të mundshme, ndërsa shuma që mund të kërkohet do të varet nga mënyra se si llogaritet dëmi dhe nëse gjykatat ose mekanizmat përkatës e pranojnë lidhjen mes shkeljeve të Cityt dhe humbjeve të klubeve rivale.

Se si do të përfundojë kjo për Manchester Cityn, mbetet të shihet, por nëse bazohemi në dënimet që klubet si Everton, Leicester e Nottingham Forest kanë marrë për shkelje tejet të vogla financiare, dënimi i Cityt pritet të jetë shumë më i madh dhe pasojat pritet të jenë afatgjate.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live