
Trepça fiton lehtë! 3 ekipe me pikë të njëjta në krye
Vetëm një çerek ka arritur t’i rezitojë Rahoveci 029 kampionëve të Kosovës sonte, ndërsa prej atij të dytit, mitrovicasit morën lojën në kontroll për të krijuar avantazh, për ta thelluar atë dhe për të arritur lehtë te fitorja e gjashtë kampionale, 92-58!
Me fitoren e sontme, Trepça tani më bashkë me Bashkimin dhe Borën kanë bilans të njëjtë në krye të renditjes tabelare, pasi që të tre ekipet janë me nga gjashtë fitore dhe dy disfata! Por, nga këto ekipi i Adis Beciragicit është në formë më të mirë, pasi që është në seri prej pesë fitoreve radhazi!
Secili basketbollist i Trepçës fitoi minuta në këtë ndeshje dhe minimalisht kanë gjetur nga 7.46 minuta. Koshashënues më i mirë ishte Kenny Hassbrouck që dha 19 pikë, ndërsa Drilon Hajrizi i gjithanshëm kreu lojën me 8 pikë, 8 kërcime e 5 asistime. Ja’cori Payne dha 16 pikë!
Te mysafirët, që pësuan disfatën e gjashtë sezonale me betëm një të huaj në ekip sonte, më efikasi është treguar Visar Ejupi që shënoi 10 pikë. Edhe te vreshtarët trajneri Goran Samardziev i dha mundësi secilit lojtar të shijonte ndeshjen, ndërsa fuqia dukshëm ishte në anë të Trepçës!
Pra, Trepça është tani me bilans 6-2, ndërsa Rahoveci 029 bëhet me bilans 2-6. Në xhiron e radhës, Trepça është mysafire e Pejës, ndërsa Rahoveci 029 i shkon Bashkimit.
