
Azemi shkëlqen, Prishtina shënon fitoren e dytë radhazi
Ka ardhur edhe fitorja e dytë me radhë e Prishtinës në nismë të stinorit të ri në ENBL ligën ndërkombëtare të basketbollit, ndërsa bardhekaltërit kanë shënuar fitoren e parë si mysafir në këtë ligë duke triumfuar mbrëmë në Bruksel ndaj Brussels Basketball, 75-80.
Pjesa e parë ka qenë plotësisht e Prishtinës 30-40, ndërsa mundi i vendasve për rikthim në pjesë të dytë, 45-40, nuk ka mjaftuar dhe kështu ekipi nga kryeqyteti i Kosovës ka dalë triumfues nga përballja.
Arian Azemi me 19 pikë ka qenë më efikasi te Prishtina, ndërsa ka pasur snajperin e tij të kalibruar mirë duke shutuar 5/6 për tre pikë në fitore. Me nga 12 pikë ndeshjen e kryen Adrio Bailey dhe Deondre Burns.
Kontribut të rëndësishëm në fitore dha Lamb Autrey, duke treguar performancë të gjithanshme me 11 pikë, 8 asistime e 5 kërcime në këtë fitore të Prishtinës.
Kjo ka qenë fitorja e dytë e Prishtinës në dy ndeshjet e para të ENBL dhe bardhekaltërit kanë tani bilanc 2-0 nga 2 ndeshjet e para të stinorit, ku në xhiron e parë kishin mposhtur norvegjezët e Gimbles.