
Ballkani zyrtarizon largimin e trajnerit
Një javë pas njoftimeve të dhëna nga mediat e Shqipërisë se Orges Shehi ka ofruar dorëheqjen e tij dhe po e shqyrtojnë ekipet e Kategorisë Superiore të atjeshme, Ballkani e ka zyrtarizuar largimin e tij nga ekipi.
Përmes një njoftimi të lëshuar sot, ekipi suharekas ka bërë të ditur se drejtimin e skuadrës së parë do ta merr trajneri i ekipit U-21 të Ballkanit Edon Gashi, ndërkaq ka falenderuar Shehin për punën e deritashme.
“Orges Shehi largohet nga posti i trajnerit të FC Ballkani
FC Ballkani njofton se trajneri Orges Shehi nuk është më në krye të skuadrës sonë.
Pas ndeshjes me Drenicën, trajneri Shehi ka informuar lojtarët dhe klubin se kishte planifikuar të largohej në muajin janar. Duke e vlerësuar situatën dhe nevojën për stabilitet të menjëhershëm në ekip, kryesia e klubit ka marrë vendim që largimi i tij të ndodh tani.
Klubi falënderon Orges Shehin për punën dhe kohën e kaluar te FC Ballkani, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.
Deri në një vendim tjetër lidhur me drejtimin e skuadrës së parë, ekipin do ta udhëheq trajneri i U21, Edon Gashi.” — shkroi FC Ballkani në njoftimin e dhënë sot.
