Çereku i parë bëri dallimin, Bashkimi mposhti Pejën

Në një ndeshje plot rivalitet, për secilin top të luftuar, Bashkimi ka arritur të mposht Pejën në përballjen e parë të çerekfinales së Kupës së Kosovës. Epërsia e arritur nga Bashkimi, nuk i garanton shumë për ndeshjen e kthimit në “Karagaç”, por në duele të nxehta, secila fitore sjell shpresë.

Bashkimi fitoi ndeshjen me rezultat 96-90, ndërsa thuajse të gjithë çerekët ishin të barabartë, pos atij të parit, ku prizrenasit morrën 10 minutëshin e parë me 25-18.

Ndeshja shënoi edhe ndërprerje, pasi që një pjesë e shikuesve hodhën gjësende në drejtim të lojtarëve të Pejës duke goditur Dardan Berishën. Peja u largua në zhveshtore. Priti zbrazjen e asaj pjese të tribunës (ballore) dhe ndeshja vazhdoi më pas.

Dramë deri në fund, ndërsa te ekipi fitues më i dalluari ishte Shannon Shorter që dha 27 pikë në fitore. Isaiah Cousins me 17 pikë e 10 asistime ishte si bletë punëtore sonte, kurse TJ Bickerstaff luajti me 16 pikë e 9 kërcime në fitore.

Dardan Berisha ishte më i miri te Peja. Ai dha 20 pikë, përkundër se pjesën e dytë të ndeshjes e luajti me fashë në ballë, ndërsa bëri edhe 2 asistime e 4 kërcime. Cesare Edwards dha 15 pikë e 6 kërcime, ndërsa me 14 pikë luajti Jordan Johnson te pejanët.

Peja do të duhet të fitojë ndeshjen e kthimit me 7 pikë dallim për të kërkuar gjysmëfinalen, ndërkaq Bashkimi nëse jo fitore, do të duhet të ruajë epërsinë e arritur sonte. Dueli i kthimit pritet të luhet pas dy jave në “Karagaç”.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live