
Disfatë në Vjenë, Kosova e pafuqishme ndaj Austrisë
Disfatë për Kosovën në Vjenë sonte.
Në ndeshjen e dytë grupore të këtij edicioni të Ligës B të Kombeve, Kosova u mposht 3-1 nga Austria vendase në kryeqytetin austriak, në një ndeshje për t’u harruar sa më shpejt për skuadrën tonë.
Mungesat në mbrojtje e mesfushë e veçanërisht ato të Albian Hajdarit e Amir Rrahmanit në qendër rë mbrojtjes ishin të dukshme për Kosovën, ndërkohë që edhe faza sulmuese la për të dëshiruar, duke mos krijuar shumë sot, veçanërisht e ndikuar nga jogatishmëria 100% për lojë e Fisnik Asllanit, i cili veç sa është rikthyer nga lëndimi.
Kosova pati një mundësi të artë përmes Vedat Muriqit krejt në fillim të ndeshjes. Sulmuesi prizrenas befasisht gjuajti mbi portë nga afërsia, mundësi kjo që mund t’i jepte ndeshjes komplet kahje tjetër nëse do të shfrytëzohej. Pas këtij shpërdorimi nga Muriqi, austriakët e gjetën golin në cepin tjetër të fushës.
Në minutën e 23′, me kokë për 1-0 të vendasve shënoi Affengruber, mbrojtësi i Fulhamit, pas një krosimi të ardhur nga ndërprerja.
Më pas, deri në fundin e pjesës së parë nuk pati shumë raste të rrezikshme për asnjërën skuadër, e krejt në fund të kësaj pjese, ishin austriakët që përsëri e gjetën rrjetën. Mesfusha e mbrojtja e Kosovës ranë plotësisht nga loja pas një kundërsulmi fantastik të vendasve dhe kjo i kushtoi Kosovës me pranimin e golit të dytë; 2-0 pas 45 minutave lojë. Golin e dytë e shënoi Junior Adamu, futbollisti i Schalkes 04 (45+2′).
Foda bëri tre ndyshime me të filluar pjesa e dytë. Zhegrova, Avdyli e Matoshi u inkuadruan në vend të Ermal Krasniqit, Zabërgjes e Hoxhës, por as këto ndryshime nuk bënë punë. Kosova nuk tregoi shumë as në pjesën e dytë, madje ishin austriakët ata që e gjetën rrjetën përsëri të parët, kur Carney Chukwuemeka shënoi për 3-0 pas një tjetër tollovie në mbrojtjen tonë (61′).
Në minutën e 82′, Valmir Matoshi fitoi një penallti për Kosovën, e nga pika e bardhë rezultatin në 3-1 e ngushtoi Edon Zhegrova, për ta mbyllur kështu ndeshjen të paktën me një gol të shënuar.
Pas dy ndeshjeve, Austria ka pikë të plota në Grupin B3, kurse Kosova mbetet me tri pikë. Ndeshja tjetër e xhiros së dytë të grupit, ajo mes Izraelit e Irlandës, luhet sonte me fillim nga ora 20:45.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan si mysafire e Izraelit më 1 tetor, kurse Austria luan si mysafire ndaj Irlandës në po të njëjtën datë.
