
Drilon Islami pret suksese me Shkëndijën
I zyrtarizuar sot paradite te ekipi i tij i ri, Drilon Islami, mesfushori i deritashëm i Clujit në Rumani pasi që shkëputi kontratën me rumunët arriti te Shkëndija e Tetovës.
Shkëndija bëri të ditur se 25 vjeçari ka nënshkruar marrëveshje 2.5 vjeçare me mesfushorin defanziv, ka kaluar me sukses testet mjekësore në klub dhe tashmë ka nënshkruar kontratën.
“Futbollisti kosovar që shkëlqeu me Prishtinën në elitën kosovare, para se të transferohej në Rumani ka kaluar me sukses ekzaminimet mjekësore. Menjëherë pas kësaj ka firmosur kontratën që e lidh me Shkëndijën për 2.5 vitet e ardhshme.” – shkroi KF Shkëndija.

Islami shkëputi kontratën e tij me Clujin pas një periudhe njëvjeçare atje. Ndërsa vetë lojtari në deklaratën e parë si lojtar i ri i tetovarëve ka thënë se Shkëndija është tjetër nivel dhe tani duhet që të gjitha kushtet këtu të përkthehen në rezultate.
“E kam ndjekur një kohë të gjatë Shkëndijën në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe punën e medias dhe rrjeteve sociale. Nga jashtë duket shumë e organizuar, por tani që jam brenda këtu është diçka krejtësisht tjetër. Unë kam luajtur edhe në klube tjera, por Shkëndija është tjetër nivel, mund të them nivel europian. Besoj që të gjitha këto kushte të mira duhet t’i përkthejmë në rezultate të mira e tituj dhe ti gëzojmë të gjithë si tifozët, si veten dhe klubin.” – tha Islami.
