
Drita e Shkëndija, para debutimeve në udhëtim
Kampionja e Kosovës në stinorin 2024/25 Drita dhe ajo e Maqedonisë Veriore, Shkëndija, këtë të enjte do të zhvillojnë ndeshjet e para të tyre në fazën e ligës në Ligë të Konferencës, që do të jetë debutim për këto skuadra në këtë fazë të garave evropiane.
Drita do të udhëtojë për në Finlandë ku do të takohet me ekipin KuPS që llogaritet favorit për këtë ndedshje, ndërsa ka koeficient fitoreje 1.70, derisa gjilanasve për fitore bastoret u japin kuotën 5.00.
Stadiumi Tammelan në Tampere do të jetë arena e dyluftimit të parë të Dritës në këtë fazë, ndërsa ekipi i Zekirija Ramadanit vjen i motivuar në përballje evropiane pas fitores së shënuar në fundjavën që e lamë pas në Superligë. Tammelan ka kapacitet prej 8 mijë ulësesh.
Përndryshe edhe ekipi i KuPSit është në formë të mirë, pasi që ka fituar dy ndeshjet e fundit në Veikkauslliga, duke shënuar 7 herë e duke pranuar 2 gola.
Shkëndija në anën tjetër ka marrë fluturimin për Madrid sot, ndërsa do të jenë mysafir të Rayo Vallecanos. Ndeshja zhvillohet gjithashtu më 2 tetor me fillim prej orës 18.45, në termin të njejtë si ai i Dritës.
Ndeshja luhet në Campo de Vallecas të Madridit, ndërkaq stadiumi ka kapacitet prej 14 mijë e 700 ulësesh. Madrilenët janë favorit të mëdhenjë për këtë ndeshje, derisa bastoret për ta japin koeficient prej 1.20 për fitore, ndërsa kuqezinjëve tetovarë fitorja i llogaritet si befasi e madhe, pasi që kanë kuotën 15.50.
Derisa Drita e Shkëndija presin rezultate të mira në debutim të tyre dhe tifozëritë e skuadrave mezi presin t’i shohin ndeshjet ndërkombëtare pak më me vlerë nga afër, kujtojmë që këto dy skuadra shorti do t’i ndesh mes vete në Ligë të Konferencës më 27 nëntor në “Fadil Vokrri” të Prishtinës!