
Elbasan Rashani nënshkruan me ekipin australian
Futbollisti i Kosovës, Elbasan Rashani, është zyrtarizuar sot si lojtar i ri i ekipit australian, Melbourne City. Ekipi në fjalë ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë 1-sezonale me Rashanin, ndërsa pret shumë nga shoku i Valon Berishës, që ka veshur këtë fanellë më parë.
“Krahu i shumanshëm dhe mjaft punëtor, Rashani, arrin në Melbourne pasi që më parë ndihmoi Elchen të sigurojë La Ligan në stinorin e kaluar. Si lojtar i aftë në krah, ai sjell produktivitet në fazën e tretë të lojës, duke kombinuar asistime nga hapësirat e gjerëa dhe mundësinë e hyrjes në 16-she për të shënuar vetë,” shkruan në përshkrimin e klubit australian.
Rashani 32 vjeçar ka djersitur më parë fanellën e Clermontit në Ligue 1, pastaj Erzurumsporit në Turqi dhe ekpeve norvegjeze, ku u rrit, si Odd e Rosenborg.
Në karrierën e tij për Kosovën ai ka regjistruar 29 paraqitje, ndërsa ka shënuar 5 herë për reprezentacionin e dardanëve.