
FIFA renditja: Ngritja e radhës, rekord i ri për Kosovën
Vazhdojnë rekordet e ekipit kombëtar të Kosovës në futboll, ndërsa pas pikëve të fituara në javët e kaluara në Grupin 3 të Ligës B të Kombeve, “Dardanët” janë ngritur për dy pozita në kuadër të listës së re të përditësuar të FIFAs.
Në një llogari të thjeshtë, ngritja e Kosovës është e jashtëzakonshme shikuar ecurinë, pasi që për 10 vjet anëtarësi në FIFA, Kosova ka shënuar ngritje prej pozitës 190 në tani pozitën e 76-të.
Pozita e 76-të e gjen Kosovën më së larti në histori të saj në renditjen mujore të FIFAs për ekipet komëbtare të shteteve anëtare të FIFAs. Në listën e fundit të publikuar nga FIFA, Kosova ka qenë e 78-ta. Shqipëria gjithashtu ka shënuar ngritje, për një pozitë, nga 67 tash është në vend të 66-të.

Pika ndaj Austrisë në ndeshjen e fundit ka bërë dallimin te Kosova, pasi që ata janë në pozitën e 22-të dhe kur merr pikë në ndeshje zyrtare si dhe shënon gol ndaj tyre, ngritet kuota. Natyrisht, këtu ka ndikuar edhe fitorja ndaj Irlandës që tash është e 56-ta në renditje, kurse me pikët e fituara nga 4 ndeshjet e Ligës së Kombeve, Kosova ka lënë pas Izraelin – kundërshtarin tjetër të grupit me të cilët barazuan në Debrecen, ndërsa më 14 nëntor i presim në Prishtinë.
Përndryshe, Kosova është në pozitë të dytë të grupit pas 4 ndeshjeve të luajtura në fund-shtator e fillim-tetor. Kanë mbetur edhe 2 ndeshje për të përfunduar faza grupore. Kosova që po debuton në Ligën B të Kombeve (më së larti në histori) pas Izraelit në Prishtinë më 14 nëntor udhëton në Dublin (lex. Dabllin) të Irlandës për ndeshjen vendimtare.

Në duel ndaj Irlandës Kosovës do t’i duhet minimalisht pika, nëse mposhtim Izraelin për të përfunduar në pozitë të dytë. Natyrisht, duke llogaritur që Irlanda nuk merr pikë në Austri. E pozita e dytë në grup për Kosovën do të garantonte pjesëmarrjen prej vazos së dytë në short për EUROn e radhës. Po të dalë Kosova në vazon e dytë, atëherë gjërat do të bëhen shumë më të lehta për “Dardanët” sa i përket kualifikimeve për EURO, dhe ndoshta do të arrihej historia – që Kosova të kualifikohet për herë të parë në histori të saj në një Kampionat Evropian – që do të ishte një ëndërr për gjithë vendin, jo vetëm komunitetin futbollistik. (fotografitë e artikullit: A. Paçarizi/ TopSporti, skema e FIFAs: FMD).
