
Fundjava me derbi të madh!
Sot e nesër do të kuptohen terminet e sakta, kurse xhiroja e XIV e Superligës do të vazhdojë këtë fundjavë. Liderja e Superligës Trepça do t’i dalë përballë Prishtinës në derbin e madh të basketbollit të Kosovës.
Trepça aktualisht është në formë më të mirë dhe si lidere ka bilanc 10-3, derisa Prishtina është e katërta me bilanc 7-6. Bashkimi me 9-4 pret Borën në duelin ku synon fitore ndaj prishtinasve që deri vonë kapën një formë të mirë me trajnerin e ri të ekipit.
Peja është mysafire e Vëllaznimit në derbin e Dukagjinit, ndërsa verdhezinjtë që janë në bilanc 8-5 do të përballen ndaj gjakovarëve që janë të fundit në renditje tabelare me 4-9. Të dyja skuadrat kanë pësuar disfata në xhiron e XIII dhe tashmë do të kërkojnë këndelljen.
Dueli i katërt me radhë këtë xhiro është ai ndërmjet Yllit dhe Rahovecit 029. Në një kohë derbi shumë i madh mes dy qyteteve, me luftë të madhe në parket, por edhe tribuna luhet në Suharekë kësaj radhe, derisa Ylli është në 4-9 i parafundit në renditje e Rahoveci 029 me 5-8.
Të gjitha ndeshjet do të luhen në vikend, më 28 dhe 29 dhjetor, ndërsa terminet e tyre pritet të përcaktohen më së voni nesër. Së paku kështu figuron në web-faqen e FBK-së sot.

