
Gjilani mbylli bashkëpunimin me qendërsulmuesin Aganspahic
Qendërsulmuesi nga Sarajeva, 189cm i gjatë, Almir Aganspahic është ndarë me marrëveshje me ekipin e tij të deritashëm, SC Gjilani. Njoftimin posa e ka zyrtarizuar SC Gjilani, ndërsa boshnjaku 29 vjeçar pas 12 mujash mbylli bashkëpunimin me ekipin e kuq nga qyteti i Anamoravës.
“Sport Club Gjilani njofton opinionin publik dhe mediat se bashkëpunimi me futbollistin Almir Aganspahić ka përfunduar me marrëveshje të ndërsjellë.
Aganspahic iu bashkua klubit tonë në janar të vitit të kaluar dhe gjatë periudhës së qëndrimit u paraqit në gjithsej 28 ndeshje zyrtare me fanellën “kuqebardh”, duke realizuar 8 gola.
Klubi e falënderon Almir Aganspahic për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës së tij në Gjilan dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij sportive.” — shkroi SC Gjilani në njoftimin e lëshuar sot gjatë mesditës.
Aganspahic kishte ardhur te Gjilani si lojtar i lirë nga Liepaja letoneze, ndërsa më parë ka mbrojtur ngjyrat e Shkëndijës së Tetovës, Novi Pazarit, Zenicës, etj.
