
Ish-lojtari i Interit dhe Romës merr timonin e Flamurtarit
Një emër i njohur për adhuruesit e futbollit, veçanërisht të Interit, derisa tani më ai është bërë trajner i ri i Flamurtarit të Vlorës.
Përmes një njoftimi të lëshuar pak më parë, Flamurtari që garon në Superiore dhe nuk e ka nisur mirë stinorin, ka bërë të ditur se ka emëruar në krye të shtabit teknik futbollistin e dikurshëm, Francesco Moriero.
“Njoftojmë me kënaqësi emërimin e Francesco Moriero si trajnerin e ri të skuadrës sonë.
Me një karrierë të pasur si futbollist në Serie A dhe përvojë të gjerë si trajner në Itali dhe jashtë saj, Moriero sjell profesionalizëm, pasion dhe vizion të qartë për zhvillimin e ekipit.
Bashkë drejt objektivave të mëdha.
Mirë se erdhe në familjen tonë, Mister Francesco Moriero!” — shkroi njoftimi i FC Flamurtarit.
Flamurtari që këtë stinor iu kthye elitës së futbollit në Shqipëri, aktualisht është pa fitore në Superiore dhe ka vetëm 2 pikë nga 6 ndeshjet e para të stinorit. Kuqezinjtë vlonjat po kërkojnë të kapin ritmin me skuadrat tjera që së paku të mbijetojnë stinorin në elitë.
Moriero së fundi ka punuar te Laçi. Ai gjatë karrierës së tij si trajner ka drejtuar skuadra si: Lecce, Catania, Crotone, etj.