Kosova-Sllovenia, biletat u shitën në kohë rekorde!

As katër orë nuk iu deshën tifozëve të Kosovës për të blerë të gjitha biletat për ndeshjen e radhës kualifikuese të Kosovës për Botërorin 2026! Përkundër se FFK i ka shtrenjtuar biletat për ndeshjet e Kosovës në këtë cikël kualifikimesh, interesimi i madh dhe veçanërisht rezultati i madh i bërë ndaj Suedisë, ka zgjuar dardanët nga secila anë për të shterrë biletarinë online të Federatës për ndeshjen e 10 tetorit.

Pasi që FFK publikoi njoftimin se biletat për ndeshjen e tretë kualifikuese të Grupit B ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë janë në shitje, pa kaluar katër orë të plota, Federata njoftoi se nuk ka mbetur asnjë biletë në shitje dhe të gjitha kanë “shkuar”.

Dueli Kosova – Sllovenia luhet më 10 tetor në “Fadil Vokrri” ndërsa dardanët momentalisht janë në vend të dytë të Grupit B, pas Zvicrës që ka 6 pikë. Kosova ka 3 pikë. Pas saj janë Suedia e Sllovenia me nga 1 pikë. Shpresa për fitore ndaj Sllovenisë, është e madhe, ndërsa paraqitja e futbollistëve ndaj Suedisë zgjoi interesim të madh te publiku.

“Të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026, Kosovë – Slloveni, që zhvillohet më 10 tetor, janë shitur në kohë rekord. Faleminderit tifozëve për përkrahjen e jashtëzakonshme. Ju jeni forca dhe motivi ynë më i madh drejt sukseseve të reja.” — shkroi FFK në njoftim, pasi që u shitën të gjitha biletat.

Kujtojmë, biletat në ciklet e kaluara kualifikuese kanë pasur çmime: Veri dhe Jug, 5 euro; Lindje, 10 euro; Perëndim, 20 euro. Ndërsa nga ky cikël kualifikues biletat kanë këto çmime: Veri dhe Jug, 10 euro; Lindje 20 euro; Perëndim, 30 euro.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live