Pas stinorit dramatik dhe shpëtimit, Rahoveci 029 vazhdon me trajnerin!

Derisa në Superligë ka filluar seria finale e playoffit ku po luftohet për titull kampioni të Kosovës për stinorin 2025/26, në anën tjetër, skuadra që erdhi këtë stinor në Superligë, Rahoveci 029, dhe siguroi mbijetesën në një konkurrencë tepër të fortë – e që u vendos vetëm në xhiron e fundit, ka bërë të ditur se ka vazhduar marrëveshjen me trajnerin me të cilin mbijetuan stinorin.

Verimaqedonasi Goran Samardziev do të vazhdojë të punojë me Rahovecin 029 edhe një stinor, ka bërë të ditur klubi i vreshtarëve, ndërkaq sipas njoftimit lihet të kuptohet se marrëveshja do të jetë njësezonale.

“Me kënaqësi ju njoftojmë se bashkëpunimi vazhdon!
Coach Goran Samardziev do të jetë pjesë e klubit tonë edhe për një sezon tjetër.
Udhëtimi vazhdon së bashku!” — shkroi KB Rahoveci 029 në njoftim.

Kujtojmë, Rahoveci 029 debutoi në Superligë në stinorin aktual kur arriti nga Liga e Parë me triumf aty nën komandën e pejanit Bujar Loci. Pas disa muajsh në Superligë, drejtuesit e klubit ndërruan Locin me Samardzievin – ndërsa në ndeshjen e fundit të stinorit falë një rregulle të shkruar paqarrtë nga FBK-ja, ata mbijetuan.

Përndryshe trajneri Samardziev është 44 vjeçar aktualisht, ndërsa me të 24-tin e këtij muaji mbush të 45-tat. Ai përgjatë karrierës së re të tij në basketboll si trajner ka drejtuar Feni Industries dhe Rabotnickin, ndërsa Rahoveci 029 është ekipi i parë i huaj për te. Pos kësaj, ai është edhe selektor i Maqedonisë U-20.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live