
Prishtina rikthen Jon Ismajlin
Basketbollisti që pjesën vjeshtore të stinorit e kaloi te Vëllaznimi, Jon Ismajli, i është rikthyer Prishtinës. Ekipi bardhekaltër nga kryeqyteti ka bërë të ditur se pas huazimit gjysmësezonal, Ismajli 20 vjeçar (193cm.) i kthehet skuadrës.
Ai do të ketë të drejtë loje menjëherë në ndeshjet ndërkombëtare ku garon Prishtina (ENBL), ndërsa sa i përket garave vendore, aty do të mund të paraqitet në parket pasi që të hapet afati kalimtar dimëror.
“Joni Bardhekaltër. Pas gjysmësezonit të parë në huazim, basketbollisti ynë rikthehet në shtëpi. Sonte paraqitet në ENBL, ndërsa debutimin në Kosovë do ta bëjë pas hapjes së afatit kalimtar dimëror.” – shkroi KB Prishtina në njoftim.
Përndryshe, në pjesë të parë të këtij stinori në Superligë Ismajli te Vëllaznimi mesatarisht luajti 18.1 minuta për lojë, duke dhënë 2.6 pikë, 1.3 asistime dhe 1.6 kërcime për ndeshje.
Prishtina vitin 2025 e kreu në pozitë të katërt të tabelës së Superligës nën drejtimin e grekut Michalis Kakiouzis, duke shënuar 7 fitore e 6 humbje.
