
Qëndrim Kida rikthehet në Superligë!
Trajneri që bëri emër me Malishevën dhe për pak kohë drejtoi Suharekën në Superligë, Qëndrim Kida, i është rikthyer Superligës. Kësaj radhe me një detyrë të re dhe të vështirë.
Ai është emëruar si kryetrajner i ekipit të Prishtinës së Re, që po debuton në Superligë këtë stinor, ndërsa aktualisht është në pozitë të fundit të renditjes tabelare.
Njoftimin, posa e zyrtarizoi Prishtina e Re, pasi që bëri të ditur se ka pranuar dorëheqjen e Shpëtim Babajt sot, derisa Kida do të jetë trajneri i tretë që do të jetë në krye të ekipit bardhekaltër këtë stinor në Superligë.
“KF Prishtina e Re njofton opinionin publik, tifozët dhe komunitetin futbollistik se nga sot, Qendrim Kida emërohet Kryetrajner i ekipit të parë.
Ky vendim vjen si pjesë e strategjisë sonë të re për konsolidimin e ekipit, rritjen e stabilitetit dhe riformësimin e mentalitetit fitues brenda skuadrës.
Klubi beson fuqimisht se me emërimin e Qendrim Kida si Kryetrajner, fillojmë një faqe të re të rëndësishme drejt stabilizimit dhe progresit.
Jemi të bindur se me punë, disiplinë dhe bashkëpunim, ekipi do të rikthehet atje ku e meriton.
Klubi i uron trajnerit Kida mirë se ardhje dhe shumë suksese në detyrën e re.” — shkroi njoftimi i KF Prishtina e Re.
Kida (40) kishte nisur karrierën e trajnerit si ndihmës-trajner te Malisheva, por me marrjen e timonit të kryetrajnerit aty tregoi aftësitë e veta dhe u vlerësua për lojën që ia dha ekipit. Më pas, drejtoi Suharekën derisa këta siguruan Superligën në stinorin debutues, për 16 ndeshje aty.
