
Reagon edhe KB Bashkimi, fut në funksion kamerat e sigurisë
Pas incidentit të mbrëmshëm në “Sezai Surroi” ku një person goditi me shkrepëse lojtarin e Pejës Dardan Berisha, të cilit ia çau ballin, pas FBK-së ka reaguar edhe KB Bashkimi.
Klubi prizrenas ka bërë të ditur se do të fut në funksion kamerat e sigurisë për të identifikuar personin, ndërsa për ndeshjet tjera kontrolli do të jetë edhe më i rreptë.
Gjithashtu, prizrenasit kanë bërë të ditur të mirren shembuj “Arpagjik’t” të cilët mbështesin klubin me korrektësi.
KOMUNIKATA E KB BASHKIMI
Të nderuar tifozë portokall e zi, të nderuar qytetarë të Prizrenit,
Përkrahja dhe përkushtimi juaj e bëjnë palestrën “Sezai Surroi” një nga ambientet sportive më të mira në Kosovë. Megjithatë, klubi është i detyruar të rikujtojë rregullat bazë të sjelljes gjatë ndeshjeve.
Hedhja e çfarëdo sendi në fushë është rreptësisht e ndaluar.
Gjatë ndeshjes së fundit janë evidentuar disa raste të hedhjes së sendeve në parket nga individë të papërgjegjshëm, të cilët në numër janë pak, por veprimet e tyre përbëjnë shkelje serioze dhe rrezikojnë shëndetin e lojtarëve, përbëjnë rrezik financiar për klubin dhe mund të çojnë në zbrazjen e sallës.
Shembulli më i mirë për t’u ndjekur janë tifozët tanë Arpagjik’t, të cilët mbështesin klubin në mënyrën më të mirë të mundshme — me pasion, korrektësi dhe pa shkaktuar probleme për klubin.
Ju njoftojmë se kamerat e sigurisë monitorohen dhe do të monitorohen në çdo ndeshje. Çdo person që hedh mjete të forta ose çfarëdo sendi tjetër në fushë do të identifikohet, denoncohet në organet e rendit dhe do t’i ndalohet hyrja në palestër për të gjitha ndeshjet ku luan KB Bashkimi.
Këto veprime dëmtojnë drejtpërdrejt klubin tuaj të zemrës, rrezikojnë shëndetin e lojtarëve dhe cenojnë imazhin e klubit. Klubi pret nga tifozët e tij kulturë sportive, përgjegjësi dhe respekt ndaj lojtarëve, kundërshtarëve dhe gjyqtarëve.
Si klub distancohemi nga këto veprime jo-sportive të personave që nuk i duan të mirën klubit.
KB Bashkimi mbështetet me pasion, por vetëm me respekt dhe disiplinë.
