
Rikthimi i shpejtë i Nunos
Nuk kaloi as një muaj prej se në mënyrë të padëshiruar u nda me ekipin që e ktheu në gara evropiane pas mbi 20 vitesh. Nuno Espirito Santo pamëshirshëm u zëvendësua, jo për shkak të rezultateve, nga kreu karizmatik dhe kontravers i Nottingham Forestit. Në vend të tij u soll Ange Postecoglou. Ange, australian me origjinë greke, ndërsa pronari grek.
Në kryeqendrën e Anglisë, Graham Potter, po dilte në konferencë për shtyp të premten si zakonisht për t’i dhënë të rejat për ekipin para ndeshjes së fundjavës. Pyetjet, përgjigjet, nevoja për fitore dhe pozita e parafundit në tabelë te West Ham United — nuk dhanë asnjë shenjë shtesë, edhe pse u bisedua. Të shtunën në mëngjes u shkarkua nga detyra!
Nuno Espirito Santo të shtunën në mesditë u zyrtarizua si trajner i West Ham Unitedit, ndërsa të hënën është mysafir i Evertonit në debutim të tij si trajner i ri i ekipit. I lindur në Sao Tome, 51 vjeçari tashmë merr drejtimin e ekipit të katërt të ndryshëm në Premier Ligë, pas Wolverhamptonit, Tottenhamit dhe Nottinghamit.