
Serbia kërkon të ndërrojë stadiumin për ndeshje ndaj Shqipërisë
Po të futesh në faqen zyrtare të UEFA-së, ndeshja Serbia – Shqipëria që do të zhvillohet më 11 tetor të këtij viti në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, thuhet se do të luhet në stadiumin “Rajko Mitic” të Beogradit, stadium ky ku luan Crvena Zvezda.
Mirëpo, pas ndeshjes ndaj Anglisë në atë stadium, duket se Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka ndërruar mendje. Për këtë arsye, ata i kanë dërguar letër UEFA-së, duke kërkuar ndërrim të lokacionit për ndeshje ndaj Shqipërisë.
Shqipëria dhe Serbia janë në Grupin K kualifikues për Botëror, ndërsa ndeshja e parë e zhvilluar në “Arenën Kombëtare” të Tiranës kishte përfunduar pa gola, 0-0. Anglia është lidere dhe favorite për të marrë biletën direkte për Botëror, ndërsa Shqipëria dhe Serbia po kërkojnë pozitën e dytë në grup, që ua mundëson rrugëtimin drejt Botërorit përmes playoffit.
Trazirat e ndodhura në “Rajko Mitic” në ndeshje ndaj Anglisë, ku serbët u përleshen mes veti për shkak të situatës politike atje, si dhe banderolat kundër Kosovës u panë në stadium. Fundin e ndeshjes në tribuna që ishin të stërmbushura në fillim, e pritën rreth 2 mijë e 500 tifozë, ndërsa Serbia u demolua nga anglezët, me 0-5.
Serbia mund të dënohet rëndë nga UEFA për këto, por përgjithësisht për t’i ikur telasheve me turma të mëdha në Beograd, FSS ka bërë kërkesën që ndeshja Serbia – Shqipëria të bartet në “Duboçica” të Leskovacit. Ky stadium gjithashtu plotëson kushtet për ndeshje kualifikuese, ndërsa ka kapacitet prej 8 mijë ulëseve.
Mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë vendimi do të merr UEFA-ja, ndërkaq FSS shpreson që ndeshja ndaj Shqipërisë t’i kalojë pa tensione, duke ditur situatën që ndodhi në Beograd në kualifikime për EURO 2016.