Sllovakia-Kosova, ku do të luhet ndeshja?

Qindra bileta janë shitur dje nga aviokompanitë për në Bratisllavë! Çmimi është stërngritur nga interesimi i madh. Por, ndeshja shumë lehtë mund të ndërrojë destinacion, pasi që sllovakët tani janë duke menduar të mos ngarkojnë stadiumin kryesor të kombëtares së tyre në Bratisllavë!

Katërfishimi i çmimit të biletave

Fillimisht biletat për Bratisllavë nga Prishtina, Shkupi apo Tirana silleshin deri në 50 euro kthyese, ndërsa brenda ditës arritën çmimin mbi 200 euro për të njëjtin itinerar.

Kosova ka dalë në short ndaj Sllovakisë. Sllovakia është nikoqire e gjysmëfinales për playoff për Botëror. Ndeshja do të luhet më 26 mars. Por, fituesi i këtij çifti do të jetë nikoqir i finales. E këtë sllovakët po shikojnë ta mendojnë mirë, pasi që në rast se fitojnë Kosovën më 31 mars do të presin fituesin e ndeshjes Turqia – Rumania!

Cili stadium?

Stadiumi kombëtar i Bratisllavës ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve. Ai i Trnavës ka pak më shumë se 19 mijë ulëse. Ndërkaq ai i Koshices, mbi 12 mijë. Gjatë kualifikimeve, Sllovakia nga tre ndeshjet e saja, i ka luajtur nga një në secilin stadium!

SFZ, për të cilët foli sekretari i tyre ka thënë se duhet menduar mirë dhe organizuar mirë gjithçka, pasi që ndeshjet janë jetike dhe dy ndeshjet si vendas duhet shfrytëzuar maksimalisht. “Varësisht nga ajo që vendoset, ne duhet të njoftojmë patjetër UEFA-në deri më 26 nëntor, kur edhe është afati i fundit për të përcaktuar stadiumin e gjysmëfinales dhe atë të finales, potencialisht.” — tha ai.

Vendimi!

Sikurse Kosova, edhe Sllovakia përfundoi në vend të dytë të grupit të saj duke siguruar playoffin. Ata në shtëpinë e tyre fituan të gjitha ndeshjet, përfshirë edhe Gjermaninë, duke përfunduar grupin me 12 pikë, ku vetëm Luksemburgun e fituan jashtë, ndërsa u mposhtën nga Irlanda Veriore dhe Gjermania si mysafir.

Tani, mbetet të shihet nëse ndeshja Sllovaki – Kosovë do të luhet në Bratisllavë, apo diku tjetër.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live