Sylvinho i përgjigjet pyetjes, si do ta fitojë Shqipëria ndeshjen ndaj Serbisë?

Pasi që hodhi në letër listën dhe të ftuarit për ndeshjen jetike ndaj Serbisë, selektori i Shqipërisë Sylvinho ka folur para gazetarëve në konferencë për shtyp.

Ndër të tjera, strategu brazilian i kombëtares shqiptare ka thënë se kjo ndeshje jo që është e rëndësishme, por është shumë e rëndësishme. Ka folur për gjendjen emocionale dhe psikologjike të lojtarëve, por edhe është përgjigjur për dy pyetje tepër me rëndësi për publikun.

Si do ta fitojë Kombëtarja këtë ndeshje?

“Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë, për të dyja skuadrat sepse jemi të dyja në moment për t’u kualifikuar. Skuadra e tyre është shumë e fortë dhe me eksperiencë, por në futboll luhet për 90 minuta. Nuk vendoset një ndeshje nga 15 apo 20 minuta. Sigurisht që do të jemi të fokusuar për 90 minuta për të bërë më të mirën. Jemi koshientë për atë që duhet të bëjmë. E thashë edhe më përpara, besoj shumë tek ekipi im, te lojtarët që kur u jep besim, krijohet edhe një atmosferë shumë e mirë te dhomat e zhveshjes. Besoj që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Kemi bërë edhe më parë performanca të mira, si në Pragë, në Varshavë dhe do jemi 100% të përqëndruar për të bërë 90 minuta të mira.” — tha Sylvinho.

A është kjo ndeshja që na lë jashtë Botërorit nëse nuk marrim rezultat?

“Është një ndeshje e rëndësishme për të qëndruar ”gjallë” dhe të jemi drejt objektivit për të shkuar në Botëror. Nuk është ndeshje definitive, sepse janë edhe dy ndeshje të tjera, përveç ndeshjes me Serbinë për të përfunduar këtë rrugëtim. Duhet të jemi shumë të përqëndruar për të marrë fitoren. Duhet të paraqitemi shumë mirë që të kemi rezultat shumë të mirë. Nëse çdo gjë shkon mirë është edhe “play-off”. Objektivi në këtë moment është të përfundojmë në vendin e dytë, duke qenë se Anglia është një ekip shumë i fortë. Tani duhet të përqëndrohemi 100% te Serbia. Është pengesë e vështirë, por që do të japim maksimumin.” — vlerësoi ai.

Aktualisht, Anglia është lidere e Grupit K kualifikues për Botërorin 2026 me 15 pikë. Shqipëria është e dyta me 8 pikë, ndërsa Serbia e treta me 7 pikë, por kanë një ndeshje më pak të luajtur.

Shqipëria ka bërë gabim në hapa në rrugëtimin kualifikues ndaj Letonisë jashtë. Ajo ndeshje që përfundoi me barazim, do të kishte lehtësuar punën e kuqezinjëve me dy barazime ndaj Serbisë. Tani, Sylvinho me Shqipërinë duhet të kërkojnë fitoren në Leskovac për të shpresuar për pozitën e dytë, që i dërgon në playoff për Botërorin 2026.

TABELA AKTUALE, GRUPI K:

  1. Anglia 15 pikë (5 ndeshje); 2. Shqipëria 8 pikë (5 ndeshje); 3. Serbia 7 pikë (4 ndeshje); 4. Letonia 4 pikë (5 ndeshje); 5. Andorra 0 pikë (5 ndeshje).

NDESHJET E MBETURA: 

11 tetor,

Letonia-Andorra
Serbia-Shqipëria

14 tetor,

Letonia-Anglia
Andorra-Serbia

13 nëntor,

Andorra-Shqipëria
Anglia-Serbia

16 nëntor,

Serbia-Letonia
Shqipëria-Anglia.

 

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live