Tifoza Kuq e Zi: 22 vite bashkë, një mungesë që na bashkon edhe më fort

Shkruan: Petrit Osmani

Ka përvjetorë që festohen me zë të lartë dhe ka të tjerë që të detyrojnë të ndalesh, të kthesh kokën pas dhe të kujtosh. 22 vjetori i Tifozave Kuq e Zi është pikërisht i tillë. Nuk është thjesht një datë kalendarike, por një rrugëtim njerëzish, emocionesh, sakrifice dhe besimi që nuk u lëkund kurrë.
Gjithçka nisi si një nevojë e thjeshtë, por e thellë. Kombëtarja Shqiptare duhej të ndiqej, të përkrahej dhe të ndjehej se pas saj qëndronte një zë i përbashkët. Me kalimin e viteve, ajo nevojë u kthye në identitet. Udhëtuam pa u lodhur, shpesh me pak mjete, shpesh me shumë pengesa, por gjithmonë me të njëjtin qëllim. Stadiumet u bënë vendtakimi ynë i përbashkët, aty ku gëzimi dhe zhgënjimi ndaheshin mes vëllezërish. Nuk ishim aty për spektakël, por për përfaqësim. Për të treguar se Shqipëria ka zë kudo ku luan.

Me kalimin e kohës, u bë e qartë se të jesh Tifoz Kuq e Zi nuk mbaron me fishkëllimën e fundit të arbitrit. Përkrahja sportive u shndërrua natyrshëm në përgjegjësi shoqërore. Dora jonë u shtri për familjet e dëshmorëve dhe për veteranët e UÇK-së, për ata që e paguan lirinë shumë më shtrenjtë sesa një biletë ndeshjeje. U përfshimë në qindra nisma bamirësie, në qytete e fshatra, në të gjithë hapësirën e trojeve etnike shqiptare. Këto veprime nuk kërkuan kurrë vëmendje, sepse ishin pjesë e bindjes sonë se flamuri kuqezi mbahet edhe me vepra, jo vetëm me këngë.

Ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë. Shpesh u përballëm me moskuptim, me diskriminim dhe me trajtim të padrejtë. Federatat dhe autoritete policore jo rrallë na panë jo si tifozë, por si problem. Kontrollet e tejskajshme, ndalesat e pajustifikuara dhe ndëshkimet kolektive u bënë pjesë e përditshmërisë sonë. Megjithatë, asgjë nga këto nuk e theu lidhjen tonë. Përkundrazi, na bëri më të fortë dhe më të vetëdijshëm për arsyen pse ekzistojmë.

Përvjetori i sivjetmë mban një peshë të veçantë. Është më i zbehtë, më i heshtur, sepse një prej njerëzve që ishte aty në fillimet e para nuk është më mes nesh. Artan Salihu Jahushi ishte pjesë e asaj fryme fillestare, e atij entuziazmi të pastër që e ndërtoi këtë histori gur pas guri. Mungesa e tij ndihet, jo vetëm sot, por në çdo moment kur kujtojmë rrugën e bërë. Ai nuk është thjesht një emër i së kaluarës, por pjesë e identitetit tonë të përbashkët.

Sot, pas 22 vitesh, Tifozat Kuq e Zi nuk janë të përsosur dhe as nuk pretendojnë të jenë. Janë një komunitet njerëzish që kanë gabuar, kanë mësuar dhe kanë vazhduar. Janë një histori e gjallë e dashurisë për Kombëtaren, e solidaritetit shoqëror dhe e qëndresës përballë padrejtësive. Ky përvjetor nuk është fund, por dëshmi se rruga vazhdon, me kujtime, me përgjegjësi dhe me të njëjtën zemër si ditën e parë.

Për ata që ishin në fillim, për ata që janë sot dhe për ata që do të vijnë nesër. Për Artanin dhe për të gjithë ata që jetojnë në këtë histori. Gjithmonë Tifoza Kuq e Zi.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live