
Turqia shkeli Greqinë, arrin finalen e parë pas 24 vitesh
Me një performancë fantastike, Turqia ka kaluar shumë më lehtë sesa që pritej Greqinë për të siguruar finalen e parë të Eurobasketit pas 24 vitesh dhe të dytën në histori!
Turqia fitoi ndeshjen duke mposhtur në secilin çerek fqinjin perëndimor, për të mbyllur ndeshjen me 26 pikë dallim, 68-94. Lojtari i ndeshjes ishte Ercan Osmani që dha 28 pikë dhe bëri 6 kërcime.
Cedi Osman shënoi 17 pikë, Alperen Sengun 15 pikë, 12 kërcime e 6 asistime, ndërsa Shane Larkin 14 pikë e 5 asistime në këtë fitore të madhe të selektorit Ergin Ataman, që ka çuar Turqinë në finale pa asnjë humbje deri tani në kampionat.
Grekët ndeshjen e pritën kokulur, të poshtëruar kah fundi kur rezultati në disa raste shkoi edhe në 30 pikë dallim! Më efikasi te ata ishte Kostas Sloukas me 15 pikë, ndërsa asnjëri nga vëllezërit Antetokounmpo nuk ndezi sonte, ku Giannis u ndalë në 12 pikë, 12 kërcime e 5 asistime!
Në finale, Turqia do të luajë me Gjermaninë – që gjithashtu është e pamposhtur në këtë Eurobasket dhe pritet të jetë finale e vërtetë dhe e merituar për shtetet që e arritën. Finalja e madhe, prej orës 20.00 të dielën më 14 shtator, Turqia-Gjermania – të pamposhturit e turneut.