
Ylli ndau rrugët me Joe Reece
Skuadra e Yllit pas nënshkrimit me Scott Bamforthin ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me lojtarin Joe Reece. Ky i fundit 202 cm. i gjatë ishte pjesë e ekipit suharekas gjatë gjithë vjeshtës, ndërsa tregoi performanca të mira përgjithësisht.
Por, klubi vendosi që të ndërprente bashkëpunimin me amerikanin, i cili mesatarisht luante për 18 minuta për ndeshje, duke shënuar 8.5 pikë, 0.8 asistime dhe 2.9 kërcime.
“Faleminderit, Joe Reece. Me marrëveshje të dyanshme kemi vendosur të ndërpresim bashkëpunimin me lojtarin Joe Reece.
E falënderojmë për kontributin e dhënë dhe i urojmë shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij.” – shkroi KB Ylli në njoftimin e lëshuar sot për lojtarin në fjalë.
Reece performancën më të mirë e kishte treguar ndaj Prishtinës, kur shënoi 23 pikë për fitoren e ekipit të tij.
Përndryshe, Ylli aktualisht drejtohet nga Jeronimo Sarin, pasi që ndau rrugët me Fotis Takianosin me të cilin kishte nisur stinorin. Pas XIII xhirove të para të stinorit, Ylli ka bilanc 4-9 në Superligë dhe është në pozitë të parafundit të renditjes tabelare, pozitën e shtatë.
