
E konfirmon FFK: Albian Hajdari bëhet “dardan”
Futbollisti 22 vjeçar i Hoffenheimit, që u rrit në grupmoshat e Baselit dhe këtë verë kaloi në Bundesligë për 5 milionë euro, ka pranuar të jetë pjesë e Kosovës. Tashmë, edhe zyrtarisht, e ka konfirmuar FFK-ja, pas njoftimit të Blickut zviceran në mëngjesin e sotëm se qendërmbrojtësi ka vendosur të jetë pjesë e “dardanëve”.
PREJ BASELIT TE JUVENTUS U-23
Albian Hajdari 189cm i gjatë së fundi ka qenë pjesë e Luganos, ndërsa para saj ka bërë karrierë edhe te Juventus U-23. Ai ka qenë pjesë e Zvicrës U-21, ndërsa te seniorët helvet ka luajtur vetëm një herë dhe atë në miqësore — që mundësoi zgjedhjen e Kosovës nga vetë ai.
Vlera e tij në Transfermarkt është 12 milionë euro, ka regjistruar tre paraqitje këtë stinor te Hoffenheimi, ndërkaq në gjysmën e ndeshjeve ka qenë startues. Me ardhjen e tij, Kosova pritet të përfitojë shumë, ndërkaq shtohet edhe forca në mbrojtje të “dardanëve” që shpesh ka lënguar.
SHTESË E RËNDËSISHME PËR KOSOVËN
Pas Leon Avdullahut, që ka qenë gjatë marsit të këtij viti kapiten i Zvicrës U-21 ndërsa pranoi dhe debutoi te Kosova gjatë shatorit, Albian Hajdari bëhet prurje e dytë e rëndësishme te Kosova e drejtuar nga Franco Foda.
Nëse gjithçka kryhet si duhet, Hajdari do të mund të debutojë te Kosova në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026 në duelet e tetorit, ku Kosova pret Slloveninë dhe udhëton për në Suedi.
FFK, në njoftimin për Hajdarin ka shkruar:
“Kombëtarja e Kosovës ka fituar një zemër të re në fushë dhe një muri të ri në mbrojtje. Qendërmbrojtësi i talentuar i Hoffenheim-it, Albian Hajdari, ka marrë vendimin e madh për t’u bashkuar me fanellën dardane. Albiani iu bashkua rrënjëve të tij, duke u kthyer në shtëpinë e tij, Kosovën. Hajdari, i rritur në futbollin zviceran e me një karrierë premtuese në Bundesligë, tani ka zgjedhur që të shkruajë historinë e tij me fanellën dardane. Vendimi i tij është një mesazh i qartë: Kosova është foleja e ngrohtë dhe zemra gjithmonë rreh më fort për atdheun.Mirë se vjen, Albian! Kosova është më e fortë me ty!”.