Komunikimi Batatina-Berisha, reagim i ashpër i KGJ-së

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina i zhgënjyer me referim në humbjen e ekipit të tij Llapi, ndaj Gjilanit, ka ofenduar rëndë gjyqtarin Fatlum Berisha. Ai ka përmendur atij djalin e vdekur, në një mesazh të cilin ia dërgoi pas ndeshjeje. Gjyqtari nuk i kishte reaguar atij, por botoi në Instagram bisedën me Batatinën.

Për veprimin në fjalë të Batatinës ndër të tjera ka reaguar edhe Komisioni i Gjyqtarëve. Për këtë, ata edhe kanë publikimin e tyre në faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës, që ka dhjetëra mija ndjekës në kanale të rrjeteve sociale.

REAGIMI I KGJ

Reagim i Komisionit të Gjyqtarëve lidhur me komunikimin e papranueshëm të kryetrajnerit të KF Llapi ndaj gjyqtarit Fatlum Berisha

Komisioni i Gjyqtarëve shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me përmbajtjen e mesazheve që trajneri i KF Llapi, Tahir Batatina, i ka bërë ndaj gjyqtarit tonë, Fatlum Berisha.

Pavarësisht të drejtës për të shprehur pakënaqësi apo kritika ndaj vendimeve në fushën e lojës, gjuha e përdorur në këtë rast është e papranueshme dhe i tejkalon normat etike, profesionale dhe njerëzore. Veçanërisht shqetësues është referimi që trajneri i lartpërmendur ka bërë në çështje tejet të ndjeshme personale dhe familjare, gjë që tejkalon çdo kufi të komunikimit.

Komisioni i Gjyqtarëve shpreh mbështetje të plotë dhe të palëkundur për gjyqtarin Fatlum Berisha, duke vlerësuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e tij në ushtrimin e detyrës. Çdo përpjekje për ta cenuar dinjitetin personal apo për ta vënë nën presion përmes gjuhës së papërshtatshme është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet në asnjë rrethanë.

Komisioni i Gjyqtarëve dënon fuqishëm çdo formë presioni, ofendimi apo kërcënimi ndaj gjyqtarëve, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre me përgjegjësi dhe në përputhje me rregullat e lojës. Integriteti i gjyqtarëve është themel i funksionimit të drejtë të garave dhe si i tillë duhet të mbrohet pa kompromis.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë akterëve të futbollit trajnerëve, lojtarëve dhe zyrtarëve, që të kontribuojnë në ruajtjen e një klime respekti dhe profesionalizmi, në përputhje me vlerat që futbolli ynë përfaqëson.

Komisioni i Gjyqtarëve do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të gjyqtarëve dhe të punojë për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së garave tona.

Komisioni i Gjyqtarëve, 18 mars, 2026.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live