Trepça mposhti Pejën në duelin e parë gjysmëfinal

Kur kishin mbetur edhe 2 minuta lojë, treshja e Dardan Berishës ngushtoi gjithçka në lojë, pasi që bëri rezultatin 78-75 në të mirë të vendasve. Por, Trepça arriti ta menaxhojë mirë ndeshjen në sekondat e mbetura dhe shkoi drejt fitores, duke mos lënë që Peja të ngushtojë edhe më epërsinë e t’ua rrezikojë fitoren.

Kështu, mitrovicasit fituan 86-78 ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale të playoffit të Superligës në “Minatori” për të marrë epërsinë fillestare, ndërsa epërsinë që e krijuan nga pjesa e parë, 48-37, nuk e lëshuan deri në fund.

Me 17 pikë e 6 kërcime, Drilon Hajrizi ishte më i dalluari te Trepça, ndërsa nga 13 pikë në fitore dhanë Shawn Jones dhe Ja’cori Payne. Dardan Kapiti qe i vetmi në ndeshje që kreu lojën me double-double, duke dhënë 12 pikë e 11 kërcime.

Dardan Berisha ishte në formë sot, por pamjaftueshëm për të bërë dallimin në ndeshje. Kapiteni i pejanëve dha 19 pikë, 5 asistime e 4 kërcime në ndeshjen e parë të serisë. Dequan Bracey luajti me 13 pikë e 8 asistime, ndërkaq me nga 12 pikë ndeshjen e kryen Cesare Edwards dhe Dejon Davis.

Përballja e radhës luhet në “Karagaç”, ndërsa Trepça e Peja do të luajnë derisa njëra skuadër t’i arrijë tri fitore për të siguruar finalen e playoffit të Superligës.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live