Trepça nis serinë finale me fitore

Pas një pjese të parë më të mirë, të cilën fuqishëm e menaxhuan edhe në pjesë të dytë, Trepça ka arritur të nisë me fitore serinë finale të playoffit të Superligës ndaj Bashkimit, për të marrë epërsinë me 1-0!

Bashkimi në anën tjetër, ka pasur shumë shuta jo të saktë nga distanca, ndërsa kur mitrovicasit ngrisnin epërsinë, lojtarët e ekipit prizrenas nuk shfrytëzonin mirë as gjuajtjet e lira. Por, vendimtare u treguan kërcimet 42-27 për “minatorët”, ku Trepça dominoi nën kosh për të fituar duelin, 94-79.

Kenny Hassbrouck me 22 pikë, 5 asistime e 4 kërcime ishte më efikasi te Trepça. Ai shutoi 4/7 për tri pikë. Por, Mustapha Amzil ka qenë më i rëndësishmi te mitrovicasit. Reprezentuesi i Finlandës luajti me 21 pikë, 3 asistime e 14 kërcime. E Dardan Kapiti mbuloi plotësisht forcën e Trepçës nën kosh me 16 pikë, 3 asistime e 6 kërcime.

Shannon Shorter i Bashkimit edhe pse ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes me 27 pikë, bashkëlojtarët tjerë nuk ishin në disponim! Pos Shorterit vetëm edhe Ike Nwamu (17 pikë) dhe Lejson Zeqiri (12 pikë) kontribuuan mirë në lojë të prizrenasve.

Ndeshja e radhës, në “Sezai Surroi” të mërkurën mbrëma, më 13 maj me fillim prej orës 19.30.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live