
Bora zytarizon përforcimin e parë për stinorin 26/27
Derisa ende po luhet seria finale e stinorit 2025/26 dhe Trepça me Bashkimin po luftojnë për titull kampioni, ekipi i tretë i këtij stinori në Superligë, Bora, veçse ka nisur përgatitjet për stinorin e ri sa i përket shtimit të lojtarëve vendorë në ekip.
Kështu, ekipi prishtinas ka bërë të ditur sot se ka siguruar shërbimet e basketbollistit prishtinas Jon Ismajli që luajti për Vëllaznimin dhe Prishtinën përgjatë stinorit që po e lëmë pas.

Me një njoftim të shkurtër, Bora ka bërë të ditur se Ismajli është përforcimi i parë për stinorin që vjen, ndërkaq lojtari në fjalë që këtë vit mbushi të 21-tat, në stinorin 2025/26 ka pasur mesatare prej 3.7 pikëve për ndeshje te Prishtina e 2.6 te Vëllaznimi.
Joni 195 centimetra i gjatë pritet të shtojë konkurrencën në ekip si dhe të përforcojë edhe bankën e ekipit të Borës. Ai luan në pozitat 2/3, ndërsa në stinorin 2025/26 ka bërë përvojë edhe në Ligën Unike si dhe në ENBL.
