
Trepça para titullit!
Në një ndeshje ku Bashkimi u mundua mjaft për ta arritur fitoren e parë ndaj Trepçës në kuadër të serisë finale të playoffit, mitrovicasit fituan në fund falë një tresheje të Seth Henryt, që ndërpreu lojën aktive me 72-75 kur kishin mbetur edhe 1.13 minuta lojë. Prej atij momenti të dyja palët me taktizime në pritje të gabimit dhe me gjuajtje të lira, për të fituar në fund Trepça me 80-84.
Bashkimit i munguan shumë Kenny Wooten i lënduar para playoffit dhe Kyan Anderson që gjithashtu nuk qe i gatshëm për lojë. E Shannon Shorteri nuk mjaftoi, përkundër se i dha 25 pikë, 3 asistime e 5 kërcime. Jordan Riley me 21 pikë kontribuoi mjaft, por në fund rezultati shkoi te kundërshtarët.
Kenny Hassbrouck me 22 pikë, pastaj Dardan Kapiti me 14 pikë e 9 kërcime si dhe Seth Henry me 13 pikë ishin më të dalluarit te Trepçа, ku lojtarët e trajnerit Adis Beciragic dominuan në pjesë të parë për të marrë dallim të nevojshëm në rezultat, 31-41, për të çuar ndeshjen me kontrollë deri në fund.
Tani, seria është Trepça 3-0 Bashkimi, derisa “minatorëve” u duhet vetëm edhe një fitore nga secila ndeshje e radhës për tu bërë kampionë të Superligës për stinorin 2025/26. Bashkimi është nikoqir edhe në ndeshjen e së mërkurës në “Sezai Surroi” që nis prej orës 19.30 me shpresë që të arrijë së paku një fitore në këtë rrugëtim. Në të kundërtën, Trepça me 4-0 bëhet kampione dhe atë për të tretën herë radhazi.
