
Peja rikthehet në FIBA Europe Cup
Pas rifreskimit në organizim të klubit pas përfundimit të stinorit 2025/26, KB Peja që kaloi një stinor jo fort të mirë tashmë ka nisur të organizohet për stinorin vijues, 2026/27.
Pas përforcimeve të zyrtarizuara dhe pas vazhdimit të kontratave me disa nga lojtarët kyq të ekipit, verdhezinjtë kanë bërë të ditur se tashmë do t’i kthehen edhe garave evropiane të FIBA Europe, ku do të jenë pjesë e FIBA Europe Cup në stinorin që vjen.
“Pas një rruge të ndërtuar me punë të palodhur, disiplinë, përkushtim dhe paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare, që nga debutimi ynë në FIBA Europe Cup në vitin 2016, kur filluam historinë tonë ndërkombetarisht në ato ndeshjet spektakolare kundër Cluji, nga Rumania pastaj prapë në 2023/24/25(champions league dhe kualifikimi në grupe të FEC), tashme KB Peja rikthehet sërish aty ku i takon — mes klubeve që përfaqësojnë me krenari basketbollin evropian.
Kjo pjesëmarrje është një dëshmi e qartë e zhvillimit të klubit tonë dhe e standardeve që kemi ndërtuar ndër vite. Për KB Pejën, kjo nuk është vetëm një garë sportive, por një mundësi e madhe për të afirmuar identitetin tonë, për të përfaqësuar me dinjitet qytetin e Pejës, tifozët tanë besnikë dhe basketbollin e Kosovës në një skenë të rëndësishme ndërkombëtare.
Me një skuadër të përgatitur për të garuar me seriozitet, karakter dhe ambicie, synimi ynë është i qartë: të paraqitemi me krenari, të luftojmë në çdo ndeshje dhe të japim maksimumin për të arritur sa më larg në këtë rrugëtim evropian.
Ky është një kapitull i ri për klubin tonë, një sfidë që e presim me besim, përgjegjësi dhe vendosmëri.
Çdo ndeshje do të jetë një test i karakterit tonë, çdo minutë një mundësi për të treguar vlerat tona dhe për ta mbajtur lart emrin e Pejës.
Deri më 16 korrik kur në Gjermani, do të tërhiqet shorti, mbesim më shpresë se kjo sezon do të jetë sezona e KB Peja.” — shkroi KB Peja në njoftimin e botuar dje.
