
Drita gati për duelet ndërkombëtare!
Pas një periudhe gati dy javore të kaluar në Bansko të Bullgarisë, kampionja e Kosovës, FC Drita, i është kthyer vendit ku do të bëj përgatitjet e fundit para duelit të rëndësishëm ndërkombëtar, në kuadër të kualifikimeve për Ligë të Kampionëve 2026/27.
Gjilanasit kanë bërë të ditur se ekipi ka kryer përgatitjet e nevojshme, ndërsa më e rëndësishmja është që secili lojtar këtë periudhë e ka kaluar në shëndet të plotë dhe se nuk ka pasur asnjë shqetësim sa i përket lëndimeve para dueleve kualifikuese.
Siç dihet, Drita do të përballet me Zalgiris Kaunon më 7 korrik, në kuadër të rrethit të parë kualifikues për Ligë të Kampionëve. Dueli i parë për Dritën do të jetë si mysafir, ndërsa një javë më pas bardhekaltërit do të jenë nikoqir të lituanezëve në Kosovë.
Ndeshja në Lituani nis prej orës 18.00 më datën 7 korrik, ndërsa në Kosovë do të luhet më 14 korrik duke nisur prej orës 20.00.
“Mbyllim fazën përgatitore në Bansko.
Klubi ynë Drita ka mbyllur fazën përgatitore 13 ditore në Bansko të Bullgarisë.
Stafi teknik kishte kohë të mjaftueshme për ta përgatitur ekipin për sfidat që i kemi përpara në ndeshjet evropiane.
Ekipi ka marrë ngarkesat e nevojshme dhe ajo që është më e rëndësishmja, përgatitjet kanë kaluar pa asnjë shqetësim apo lëndim.
Tani ekipi do të kthehet në Kosovë dhe do të hyjë në javën vendimtare para sfidës së datës 7 korrik në Kaunas të Lituanisë.” — shkroi FC Drita në njoftim.
