
Përvoja e Jasharit, në ekip të ri
Futbollisti i shumë skuadrave kosovare, që tash është në moshën 36 vjeçare, Dardan Jashari, është zyrtarizuar si lojtar i ri i Vjosës. Pas karrierës së tij në Llapi, Ferizaji, Ballkani, Malisheva, Liria, Suhareka e së fundi te Prishtina e Re, Jashari është zyrtarizuar nga ekipi i Shtimes, që vazhdon të drejtohet nga trajneri Megzon Visoka.
“KF Vjosa ka kënaqësinë dhe krenarinë të prezantojë transferimin e parë për sezonin e ri – Dardan Jashari, një nga qendërmbrojtësit më cilësorë dhe më me përvojë në futbollin e Kosovës.
Dardani vjen në radhët e KF Vjosës për ta forcuar repartin defensiv me cilësinë, eksperiencën dhe lidershipin e tij. I njohur për qetësinë në lojë, leximin e shkëlqyer të aksioneve, ndërhyrjet e sigurta dhe aftësinë për ta ndërtuar lojën nga mbrojtja, ai është një futbollist që sjell siguri dhe besim në çdo ndeshje.
Me karakter fitues, profesionalizëm të lartë dhe përkushtim maksimal, Dardan Jashari pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të ekipit në rrugëtimin drejt objektivave të sezonit të ri.
Mirë se vjen në familjen bardhekaltër, Dardan!” — shkroi FC Vjosa në njoftim.
