
Aloqendra sllovene, përforcimi i radhës te Prishtina
Në një stinor ku të gjitha skuadrat nuk po ndalen së përforcuari me lojtarë të rinj si të huaj ashtu edhe vendorë, së fundi Prishtina ka bërë të ditur për shtesën e re në ekip.
Bardhekaltërit që janë rekord-kampionë të Kosovës, ndërsa stinorin e kaluar e kaluan vështirë pas krizës financiare, tashmë në radhët e ekipit kanë shtuar aloqendrën sllovene, David Krizanic.
I lindur në vitin 2003, Krizanic (200cm.) ka luajtur vetëm në Slloveni përgjatë karrierës së tij, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e Rogaska Crystal, ku në stinorin e kaluar ka pasur mesatare prej 13.4 pikësh për ndeshje, 0.7 asistime dhe 4.2 kërcime.
Prishtina këtë stinor do të drejtohet nga kroati Jeronimo Sarin, i cili i është rikthyer bardhekaltërve pas shumë vitesh, ndërsa në stinorin e kaluar nisi me Vëllaznimin në Superligë për të vazhduar për pak kohë me Yllin!
