
Mbi 200 pikë në lojë, kampionia e nis me fitore!
Një ndeshje atraktive që në ndeshjen hapëse të stinorit dhe të pranishmit në “Mizahir Isma” në rastin më të hidhur, janë kënaqur me basketboll derisa Rahoveci 029 dhe Trepça dhuruan spektakël ku u shënuan 207 pikë në total, ndërsa kampionia aktuale e Superligës fitoi me rezultat 101-106.
Ndeshja ka qenë interesante, ndërsa epërsia e Trepçës nga çereku i parë me 8 pikë dallim, vazhdoi gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes derisa vendasit asnjëherë nuk u dorëzuan. Veçanërisht transferi i tyre i ri Samir Zekiqi që ishte në ditën e tij për “snajper” me 5/7 saktësi për tri pikë për të kryer ndeshjen me 30 pikë të shënuara, për tu bërë koshashënuesi më i mirë i ndeshjes.
Ja’cori Payne ishte më efikasi te Trepça me 25 pikë të shënuara, 7 asistime e 7 kërcime, ndërkaq thuajse aspak pas nuk i mbeti edhe Matt Mobley me 22 pikë të shënuara. Nga vendasit e Trepçës, ka qenë Drilon Hajrizi me 10 pikë, 4 asistime e 8 kërcime i dalluar, ndërsa Dardan Kapiti dha 13 pikë.
Te vreshtarët vendas, pos Zekiqit janë dalluar edhe Mika Adams-Woods me 19 pikë, 6 asistime e 5 kërcime si dhe Kareem Rozier me 18 pikë, 6 asistime e 2 kërcime.
Fitorja i takoi sonte Trepçës për t’i dhënë mesazh Superligës për stinorin e madh që e pret secilin ekip, derisa Rahoveci 029 me lojë bëri të ditur se secili ekip duhet të mendojë mirë para se tu dalë ballë atyre.
Në xhiron e radhës, Trepça luan derbi ndaj Pejës. Ndërkaq Rahoveci 029 pret Bashkimin.
