
“Në histori” — heronjtë e ri të Aston Villës
Unai Emery ka realizuar premtimin e tij. Para tri vite e gjysmë ai u bë pjesë e ekipit nga “Villa Park” dhe thoshte se iu bashkua klubit për të fituar trofe!
Të mërkurën e 20 majit në Stamboll, ai e arriti këtë.
Kapiteni John McGinn ngriti trofeun e Ligës së Evropës pas fitores 3-0 në finale ndaj Freiburgut gjerman, ndërsa Aston Villa u fut përsëri në librin e historisë.
Rikthimi në histori
Nëntë lojtarë fitues të Kupës (Ligës) së Kampionëve të vitit të largët 1982 ishin prezent në stadium, derisa ekipi i sotëm i drejtuar nga spanjolli Emery shtoi edhe një faqe tjetër në historinë e klubit.
Përndryshe Aston Villa dominoi gjatë ndeshjes dhe pas golit të parë të shënuar kah fundi i pjesës së parë ekipi nga Birmingemi më nuk ktheu kokën pas, por vetëm shënoi për të siguruar fitoren, 3-0 [Tielemans 41′, Buendia 45’+3, Rogers 58′].
Ekip evropian, me ngritje
Mirëpo, me ardhjen e trajnerit të ri Aston Villa në secilin vit po garon në gara të UEFA-së, edhe pse në vitin e parë e mori ekipin me tri pikë mbi zonën e rënies për t’ia siguruar Ligën e Konferencës.
Tani, Aston Villa pos që ka siguruar nga Premier Liga pjesëmarrjen në Ligë të Kampionëve 2026/27, ka fituar edhe Ligën e Evropës 2025/26 – që gjithashtu siguron Ligën e Kampionëve 2026/27. Vulosje e gjithanshme e ngritjes së ekipit në një nivel më të lartë.
