Pa gola ndaj Izraelit, Kosova kthehet me një pikë nga Hungaria

Pas humbjes ndaj Austrisë në Vjenë, Kosova sonte barazoi 0-0 ndaj Izraelit në ndeshjen e tretë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve, për të shkuar kështu në kuotën e 4 pikëve pas 3 ndeshjeve të para në këtë grup.

Me 7 ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen ndaj Austrisë, disa për shkak të lëndimeve e disa për shkak të rotacionit të nevojshëm për shkak të zhvillimit të 4 ndeshjeve brenda 10 ditëve, Kosova sonte nuk tregoi shumë në fazën sulmuese dhe e mbylli ndeshjen pa gol të shënuar.

FORMACIONET STARTUESE

Gjatë pjesës së parë, Kosova kishte më tepër posedim të topit, por nuk është që krijoi shumë raste konkrete për shënim. Rastin më të mirë për shënim në këtë pjesë e patën izraelitët në minutën e 30′, moment në të cilin porta e Kosovës u shpëtua nga portieri Saipi. Në anën tjetër, më së shumti për Kosovën golit iu afrua Lumbardh Dellova me një gjuajtje nga distanca në minutën e 36′, gjuajtje e cila u prit nga portieri izraelit.

Edhe pjesa e dytë ishte e ngjashme si e para. Posedim më i madh për Kosovën, por pa shumë raste konkrete për shënim. As inkuadrimet nga banka rezervë nuk e sollën golin e fitores përkundër trysnisë së shtuar ndaj portës izraelite në minutat e fundit dhe kështu ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë, që mund të cilësohet si lëshim i dy pikëve për Kosovën, marrë parasysh të gjitha rrethanat, sidomos faktin që ndeshja u luajt në një terren neutral.

Në ndeshjen tjetër të grupit të Kosovës, Irlanda barazoi 2-2 ndaj Austrisë. Ky rezultat bën që për momentin në këtë grup të kryesojë Austria me 7 pikë. Pas saj janë Kosova e Irlanda me nga 4, e Izraeli sonte mori pikën e tij të parë.

Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan të dielën në Prishtinë ndaj Austrisë me fillim nga ora 18:00.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live