
Raphinha shkëlqen, Barcelona fiton Superkupën duke mposhtur Real Madridin
Brazliani Raphinha ka shkëlqyer sonte, derisa Barcelona ka shënuar fitore 3-2 ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës për të fituar trofeun e parë të vitit 2026.
Përballja e zhvilluar para 62 mijë e 500 shikuesve në stadiumin “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite kishte gjithçka që i duhej spektaklit dhe me emocione deri në fund të lojës, kur Marcus Rashford humbi rastin për të vulosur fatin e ndeshjes, ndërsa Real Madrid në dy tentimet e fundit pas kornerëve, me kokë gjuajti drejt portës, por në duart e Joan Garcias.
FUNDI I PJESËS SË PARË, SHOW I VËRTETË FUTBOLLISIK
Përndryshe, kjo ka qenë Superkupa e dytë radhazi për katalonasit, të cilët nisën më mirë ndeshjen dhe përmes Raphinës morën avantazhin 1-0 (36′).
Por, ajo që kishin përgatitur minutat e fundit të pjesës së parë, pak kush e kishte pritur. Së pari përmes një solo akcioni barazoi Vinicius (45’+2), ndërsa që në sulmin tjetër Lewandowski me përvojë i iku dyshes qendërmbrojtëse të madrilenëve, për të shënuar bukur teknikisht për 2-1 (45’+4).
Nuk përfundoi pjesa e parë akoma, ndërsa një goditje nga këndi dhe top i kthyer nga transverzalja bëri që sulmuesi në formë i madrilenëve Gonzalo Garcia të barazojë në 2-2 (45’+6). E tash erdhi koha për fund të pjesës së parë.
RIKTHIMI I AVANTAZHIT DHE TRIUMFI
Në pjesë të dytë Barcelona përsëri përmes Raphinhës mori avantazhin, i cili në shutin e tij drejt portës kishte edhe devijim, mjaftueshëm për të mashtruar Courtois-në në portën kundërshtare – e që doli të jetë edhe goli i fitores.
Xabi Alonso reagoi me 4 zëvendësime pas golit të tretë të pranuar, duke futur në lojë edhe Kylian Mbappen e rikthyer në ekip. Por, goli nuk erdhi. Frenkie de Jong mori karton të kuq pas një fauli të pakontrolluar ndaj Mbappes (90’+3), kurse Ronald Araujo iu kthye ekipit, kur Hansi Flick fitues e futi në lojë atë në vend të Lamine Yamalit të qetë sonte, në minutën e tretë të kohës shtesë, në përballjen që kërkoi shtatë minuta shtesë për të vulosur fituesin.
Në fund, trofeun për Barcelonën e ngriti pikërisht Araujo i cili kishte marrë shiritin e kapitenit. Përndryshe, për statistikë, në gjashtë El Clasicot e fundit te të gjitha garat, Barcelona mposhti Real Madridin për herë të pestë!
MVP I SUPERKUPËS, RAPHINHA
Ndërkaq pas ndeshjes, braziliani i Barcelonës Raphinha ka marrë edhe trofeun për lojtarin më të mirë të ndeshjes finale të Superkupës së Spanjës për këtë vit – MVP de Supercopa 2026.


