
Siguruan Superligën, largojnë trajnerin!
Gjë tashmë e njohur dhe e përsëritur disa herë në futbollin kosovar, pa u befasuar, ndodhin përsëri. Feronikeli’74 pasi që siguroi rikthimin në Superligë në mënyrë direkte nën drejtimin e trajnerit Granit Begolli, mbrëmë ka lëshuar njoftimin se ka ndarë rrugët me atë.
Ekipi nga Drenasi ka bërë të ditur se kanë ndërprerë marrëveshjen dyanshëm, kurse ka falenderuar kryetrajnerin Begolli për punën e bërë dhe arritjen e madhe për ekipin gjelbërebardhë nga “Rexhep Rexhepi”.
“Faleminderit, Granit Begolli!
Duam te ju njoftojmë se me marrëveshje të dyanshme kemi përfunduar bashkëpunimin me trajnerin Granit Begolli.
Klubi ynë shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për punën profesionale, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës sa ishte pjesë e stafit tonë teknik. Me seriozitetin, angazhimin dhe profesionalizmin e tij, Graniti ka lënë gjurmë të rëndësishme në rrugëtimin e klubit tonë.
E falënderojmë për gjithçka që ka dhënë për FC Feronikeli 74 dhe i urojmë suksese të shumta në karrierën e tij të mëtejshme, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal.
Me njerëz si Begolli nuk ka asnjëherë lamtumirë, por gjithmonë mirëupafshim.” – shkroi KF Feronikeli’74 në njoftimin e botuar mbrëmë.
