
Ngriten në Ligë të Parë dhe ndahen me trajnerin
Skuadra kaçanikase, Lepenci, që ka arritur pas shumë vitesh të rikthehet në Ligë të Parë të Kosovës në futboll, pas një stinori të fortë në Ligën e Dytë, ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin e ekipit.
Por, në këtë, ka qenë vetë trajneri që ka kërkuar ndarjen, ndërsa klubi ka pranuar kërkesën e tij. Astrit Fazliu është liruar kështu nga detyra si trajner i ekipit të parë të Lepencit, ndërsa skuadra nga Kaçaniku e ka falenderuar atë për kontributin e dhënë në rrugëtimin e ekipit drejt Ligës së Parë.
“Klubi i Futbollit Lepenci Kaçanik njofton se, me kërkesën e tij, z. Astrit Fazliu është liruar nga detyra e kryetrajnerit të ekipit të parë.
Klubi e falënderon trajnerin Fazliu për kontributin, përkushtimin dhe punën e tij gjatë periudhës së angazhimit në KF Lepenci, duke vlerësuar rolin e tij në rrugëtimin dhe sukseset e klubit.
I urojmë shëndet dhe suksese në sfidat dhe angazhimet e ardhshme profesionale.
Faleminderit, trajner Astrit!” – shkroi në fund njoftimi i KF Lepenci.
