
Angazhimet evropiane, shtyejnë derbin!
Përballja derbi e xhiros së dytë të Superligës së Kosovës nuk do të zhvillohet në datën e paraparë të saj. Për shkak të angazhimeve të Dritës në kuadër të playoffit të Ligës së Konferencës, ndeshja e tyre ndaj Prishtinës, është shtyer.
KG i FFK-së ka marrë vendim për shtyerjen e kësaj ndeshjeje, kanë bërë të ditur klubet në fjalë, ndërsa dueli pritet të zhvillohet në një termin tjetër që do të përcaktohet më vonë.
“Komisioni i Garave pranë Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim për shtyrjen e ndeshjes ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e vlefshme për javën e dytë të Superligës së Kosovës.
Ndeshja është shtyrë për shkak të angazhimit të klubit nga Gjilani, Dritës, në ndeshjen e Play-offit të UEFA Conference League.
Sipas vendimit, kjo përballje do të zhvillohet në një datë të re, e cila do të caktohet dhe bëhet e ditur më vonë.” — shkruan në njoftim.
Si Drita, ashtu edhe Prishtina Superligës ia nisën me fitore. Prishtina fitoi derbin ndaj Ballkanit, ndërsa Drita mposhti Llapin në goleadë. Përndryshe, Drita që po kërkon kualifikimin në fazën grupore të Ligës së Konferencës, në playoff të saj do të ndeshet me kampionin e Andorrës, Inter d’Escalades.
