HENDBOLLI KA KRYETAR TË RI

Fotot: FHK
Kryetar i ri i FHK-së zgjedhet Edin Kolgeci
31 January, 2025 @10:29
Kryetari shumëvjeçar i KH Prishtinës, Edin Kolgeci ka marrë shumicën e nevojshme të votave dhe është zgjedhur kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës. Kolgeci në fakt ka qenë kandidat i vetëm në garë për kryetar.
Ish-hendbollist i dikurshëm i Prishtinës me profesion mjek, Kolgeci ka marrë përkrahje të madhe të plotë të delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të FHK-së të mbajtur mbrëmë. Kolgeci bëhet pasardhës i Eugen Saraçinit, që mbajti postin për tre mandatet e kaluara. Ky është edhe maksimumi i mandateve që mund të mbahet nga një person.
Nënkryetar u zgjodh Xhavit Morina, ndërsa anëtare të Bordit me votat e delegatëve u zgjodhën Fatmire Ferati e Vlora Jashari.
Pjesë e bordit të ri janë edhe Shemsa Sadiku, që përfaqëson komunitetet, Isak Osmani i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Faruk Shala i shoqatës së trajnerëve.
Presidenti Kolgeci e shfrytëzoi të drejtën statutore për zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit.
Anëtarë të tjerë të Bordit janë: Eugen Saraçini, Fisnik Salihu e Andi Haxhikadrija.
Në Kuvendin Zgjedhor ishin 36 prej 37 delegatëve.
Është mbajtur edhe Kuvendi i Punës.
Janë miratuar raporti i punës, raporti financiar dhe i auditimit, plani i punës dhe financiar për vitin 2025.
U miratuan edhe ndryshimet statutore, në përputhje me ligjin e ri për sport.
Është vendosur për themelimin e shoqatës së hendbollistëve, ashtu si kërkohet me ligjin e ri. Kryetari i shoqatës me automatizëm bëhet pjesë e bordit të FHK-së.
Në përgjithësi kuvendi është zhvilluar në frymë pozitive, ndërsa diskutimet ishin konstruktive.